Dita ndërkombëtare e Trashëgimisë Kulturore
18 prill 2025
Dita Ndërkombëtare e Trashëgimisë Kulturore (World Heritage Day) e njohur edhe si “Dita Ndërkombëtare e Monumenteve dhe Sajteve Arkeologjike” është një ditë e shënuar e cila festohet çdo vit për të rritur ndërgjegjësimin rreth rëndësisë së trashëgimisë kulturore dhe ruajtjes së veçantë të saj. E vendosur nga “Këshilli Ndërkombëtar mbi Monumentete dhe Sajtet Kulturore” (ICOMOS) në vitin 1982 dhe e miratuar më vonë nga UNESCO (United Nations Educational, Scientific and Cultural Organization) në vitin 1983, kjo ditë synon promovimin dhe mbrojtjen e ruajtjen e strukturave historike, monumentale dhe sajteve arkeologjike anë e kënd botës.
Festimi i kësaj dite thekson vlerën e trashëgimisë kulturore në formësimin e identitetit kombëtar, nxitjes së shkëmbimit kulturor dhe fuqizimin e solidaritetit global në ruajtjen e civilizimit njerëzor.
Tematika e përzgjedhur për këtë vit është: “Trashëgimia Kulturore e Qëndrueshme: Të përshtatesh me një botë në ndryshim” (“Resilient Heritage: Adapting to a Changing World”). Kjo temë thekson nevojën për metoda inovative ruajtje të objekteve historike që adresojnë sfidat moderne të tilla si: ‘ndryshimet klimatike, zgjerimi urban dhe avancimet teknologjike’. Fokusi përqëndrohet në ripërdorimin adaptues, turizmin e qëndrueshëm dhe integrimin e trashëgimisë së përhershme e përshtatur me zhvillimin urban kontemporan.
Nëpërmjet angazhimit të komunitetit dhe kooperimit urban, tematika e këtij viti i mëshon inkurajimit të qasjeve gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme me qëllim ruajtjen e trashëgimisë kulturore, kësaj pasurie të paçmueshme lënë nga brezat e mëparshëm. Pylli në këtë kontekst është mbrojtësi më i mirë i kësaj pasurie historike duke i mbrojtur strukturat e sajteve arkeologjike nga erozioni dhe degradimi.
Për këtë ditë, ne si Agjenci Kombëtare e Pyjeve zgjodhëm rrënojat e ‘Kalasë së Dajtit” dhe në ç’mënyrë pylli i moçëm i ahut (Fagus sylvatica L.) i ka mbrojtur këto rrënoja ndër shekuj të cilat mund të vizitohen sot e kësaj dite në itinerarin: ‘Tiranë-Parku i Dajtit-Kalaja e Dajtit’.