Hormoqi Picea abies (L.) Karst

Hormoqi Picea abies (L.) Karst.
Hormoqi i njohur edhe si bredhi i zi është lloj tipik i Evropës me areal shumë më të gjërë se bredhi i bardhë, i përqëndruar në krahinat malore të Europës Qëndrore, Veriore dhe Lindore.
Në vendin tonë takohet mbi zonën e ahut, kryesisht në Shqipërinë Veriore, ku formon grumbuj të thjeshtë ose të përzier me bredh të bardhë, ah ose hartinë, si në Luginën e Valbonës, ku edhe gjendet më me shumicë. Takohet, gjithashtu, ne Majën e Hekurave, Korab (Livadhi i Gjatë) dhe Gjallicë të Lumës, ndërmjet 1200-1800 (2000) m lartësi mbi nivelin e detit. Druri arrin deri 40 -50 m lartësi dhe diametër 1 deri 1.5 metër.
Rritja më e madhe ndodh gjatë 25 viteve të para ku druri merr formë konike.
Dallohen dy lloje hormoqi. I pari që është përdorur kryesisht si dru zbukurimi: hormoqi thumbonjës (Picea pungens Englm.) dhe ai që është më i përhapur në formë natyrale hormoqi ose bredhi i zi (Picea abies (L.) Karst.).
Një nga rreziqet që po i kërcënon së tepërmi masivet e hormoqit është dëmi që vjen nga dëmtuesi i trungut, skoliti i hormoqit (Ips typographus) i konstatuar prej disa kohësh në pyjet evropiane të hormoqit.
Ai po shkakton një epidemi tharje masive trungjesh në Belgjikë, Francë, Anglinë juglindore, gjithashtu ka rrezikuar pyjet e hormoqit në Austri, Gjermani dhe në Evropën Qëndrore citohet së fundi në raportin e Forest Europe.
Aftësia e këtij dëmtuesi për tu përhapur në një rreze prej 300 – 400 km në një kohë të shkurtër e bën akoma më të rrezikshëm dëmtuesin krahas mundësive që i jepen nga ndryshimet klimatike përmes ngrohjes globale dhe thatësirave të tejzgjatura të cilat i japin mundësi të riprodhohet dhe të japë dy brezni brenda një.
Dëmi më i madh që u shkakton ky skolit drurëve të hormoqit është transportimi i miceleve të kërpurdhave në trungun e drurëve të hormoqit duke i infektuar ato me një lloj kërpudhe të quajtur Ophiostoma polonicum e cila mund të vrasë drurët e shëndetshëm duke penguar rrjedhën e ujit që ngjitet lart në dru dhe si rrjedhim duke i vyshkur halat e shëndetshme dhe njëkohësisht e ngjyros trungun me vija blu duke ia humbur vlerat tregtare lëndës së sharruar nga trungjet e hormoqit gjë e cila sjell humbje të konsiderueshme në tregtimin e tij.
Gjurmimi i dëmtuesit: Skoliti i hormoqit zakonisht infekton pjesën e poshtme dhe të mesme të trungut.
Drurët e prekur njihen lehtësisht nga përqëndrimi i një pluhuri me ngjyrë kafe që del nga lëvorja në sipërfaqe të kërcenjve dhe trungut. Popullata të mëdha dëmtuesi (Ips spp.) mund të gjurmohen edhe nga një distancë e largët kur vërehet që halat kanë marrë një ngjyrë të kuqërremtë.
Së fundi gjatë vëzhgimeve tona të kryera në luginën e Valbonës, u konstatua fenomeni i tharjes së këtij lloji.
Shënjat e tharjes janë të ngjashme me ato që shkakton skoliti i hormoqit (Ips typographus) të përshkruar më sipër.
Disa nga masat që mund të përdoren për mbajtjen nën kontroll dhe luftimin e këtij dëmtuesi:
1. Kontrolli me Kimikate. Një nga variantet më të mira për të shmangur infektimin është nëpërmjet një sprucimi preventiv (me kimikate). Kjo metodë aplikohet me qëllim ndalimin e këtij dëmtuesi nëse drurët nuk janë infektuar akoma.
2. Kontrolli mekanik. Shfrytëzimi i lëndës drusore për të shpëtuar nga insektet, individë të rinj hormoqi;
3. Kontrolli biologjik. Antagonistët natyralë të tillë të gjinisë Medetera mud të jenë një sugjerim i duhur si një masat më të rëndësishme biologjike të kontrollit të agjentëve të dëmtuesve të trungut.
Agjencia Kombëtare e Pyjeve sjell në vëmendje të njësive të menaxhimit të pyjeve pranë bashkive dhe administratës së AdZM-ve të jenë vigjilentë dhe të ndërmarin masat e duhura për të mbajtur nën kontroll dëmtimet e mundshme si pasoje e prezencës së skolitit Ips typographus në grumbujt me hormoq.

 

 

 

NOTIFICATIONS