Dëmtuesi i pishës së butë (Pinus pinea L) “Breshkëza e pishës” (Toumeyella parvicornis).
Ka më shumë se 2 vjet që është evidentuar prania e një dëmtuesi të ri Toumeyellaparvicornis në pyjet e pishës së butë të Shqipërisë. Shqetësimi për praninë dhe pasojat që ai shkakton janë gjithnjë në rritje. Duke qenë një dëmtues i ri, njohja dhe zbatimi i praktikave të luftimit dhe mbajta e tij në kontroll janë në hapat e para.
Veçanërisht shqetësues është bërë prania e këtij dëmtuesi në zonën e Qerretit, Mali i Robit-Golem ku në mënyrë të përsëritur banorë të zonës kanë ngritur shqetësimet e tyre në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencinë Kombëtare të Pyjeve dhe në bashkinë e Kavajës.
Përpjekje për luftimin e tij janë bërë gjatë vitit të kaluar përmes metodës së endoterapisë që në vetvete konsiston në injektimin e trungut të pishës të një insekticidi që futet në lëngun natyral të drurit dhe arrin gjethet mbi të cilat ushqehet breshkëza (Toumeyella parvicornis), duke e vrarë atë brenda pak ditësh.
Sasia e insekticidit (abamectinës) që injektohet varet nga përmasat e drurit (kurora, diametri, etj).
Trajtimi endoterapik rekomandohet të kryet midis shtator – dhjetorit (në varësi të zonës gjeografike dhe klimës), dëmtuesi kontrollohet plotësisht, me efektivitet të lartë. Vlen të theksojmë që kostoja e kësaj ndërhyrje është shumë e lartë.
Në një bashkëpunim midis Agjencisë Kombëtare të Pyjeve dhe Fakultetit të Shkencave Pyjore, me prezencën e përfaqësuesit Dr. Giuseppino Sabbatini, studiues entomolog në CREA – Qendra për Mbrojtjen dhe Certifikimin e Bimëve, Firence, Itali (Institucion në varësi të Ministrisë së Bujqësisë) gjatë 24-26 shkurtit u kryen vizita në terren dhe diskutime në ambiente të AKP-së mbi situatën e vërejtur në terren, mostrimin e dëmtues për ta analizuar në laboratorin gjenteik në Firence, njohjen e eksperiencës italiane në trajtimin e këtij dëmtuesi dhe qasjet në masat e kontrollit për dëmtuesin.
Disa nga përfundimet e nxjerra janë:
- Prezenca dëmtuesit në pyjet e pishës së butë në Shqipëri është e 2-3 viteve të fundit ndërkohë që në Itali daton në 2014 për herë të parë në rajonin e Napolit dhe tashmë edhe në Bari, Romë dhe Toskana.
- Metoda më efektive e përdorur në Itali është endoterapia, e cila ka një kosto të konsiderueshme dhe duhet të përsëritet të paktën çdo 2 vite.Edhe në vendin tonë gjatë vitit 2023-2024 janë trajtuar disa drurë me këtë metodë. Theksojmë që metoda është shumë e kushtueshme dhe për më tepër kërkon kapacitete të larta teknike për implementim, të cilat aktualisht mungojnë në vendin tonë. Trajtimi është kryer nga kompani italiane.
Së fundi CREA po punon për ta mbajtur nën kontroll dëmtuesin me metoda biologjike duke kërkuar grabitqarin natyral të tij dhe më pas hedhjen në vatrat e infektuara me dëmtuesin e Toumeyella parvicornis. Kjo mund të jetë një nga rrugët më të qëndrueshme dhe me kosto të ulët.