Dita Ndërkombëtare e Biodiversitetit (International Day for Biological Diversity (IDB)) festohet çdo vit me datë 22 maj. Tematika e këtij viti është: “Harmonia me Natyrën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm”
Synimi është të rrisë ndërgjegjësimin e lidhjes jetikë ndërmjet biodiversitetit dhe zhvillimit të qëndrueshëm, duke nxjerrë në pah nevojën për veprime urgjente me qëllim arritjen e dy treguesve kryesorë:
1. “Zhvillimi i Qëndrueshëm (SDGs)”
2. “Ruajtjen e biodiversitetit (Marrëveshja për biodiversitetin Kunming-Montreal KMGBF)”.
Dita Ndërkombëtare e Biodiversitetit po kremtohet përmes një fushate, e cila fokusohet tek rëndësia madhore e zhvillimit të jetesës në harmoni me natyrën, duke advokuar për integrimin e interesave të biodiversitetit në politikat kombëtare dhe iniciativat globale.
Ky event bashkon aktorë të ndryshëm nga e gjithë bota me qëllim promovimin e nismave për një të ardhme të qëndrueshme duke theksuar varësitë e ndërsjellta që ka biodiversiteti me mirëqenien e shoqërisë dhe progresin socio-ekonomik.
Këtë vit, në kuadrin e “Ditës Ndërkombëtare të Biodiversitetit” zgjodhëm një lloj të ri tulipani që është zbuluar vitet e fundit në zonë e Surroit, bashkia Kukës (në dy varietete, i kuq dhe i verdhë) i emërtuar: Tulipani shqiptar (Tulipa albanica Kit Tan & Shuka) i përfshirë zyrtarisht në Librin Botëror të Botanikës dhe një set fotosh të tjera.
Mbro pyjet, mbro biodiversitetin, këtë komponent kaq të rëndësishëm të cilësisë së jetës dhe mirëqenies së njerëzimit.