Në kuadër të muajit të pyllëzimeve si dhe në vigjilje të vitit 2024 të shpallur “Viti i Pyjeve”, Drejtoria e Pyjeve dhe Kullotave Bashkia Korçë, Agjencia Kombëtare e Pyjeve nisën punën për zbatimin e projektit për pyllëzimin e 21 hektarëve në ekonominë pyjore Voskopojë 2, parcelën nr.121b që ndodhet në afërsi të fshatit Krushovë, Njësia administrative Voskopojë.
Vendi ku ka nisur pyllëzimi aktualisht është pothuajse i zhveshur nga vegjetacioni pyjor, si pasojë e djegies së tyre nga zjarret e viteve 2008-2010.
Me anë të pyllëzimit synohet rehabilitimi i këtyre sipërfaqeve të djegura.
Gjithashtu synohet stabilizimi dhe mbrojtja nga fenomeni i erozionit dhe gërryerjeve të tokës.
Do të krijohet mundësia e shtimit të habitateve dhe rritjes së interesit të komunitetit për menaxhimin e qëndrueshëm të fondit pyjor.
Gjithsej numri i fidanëve që do të mbillen është 40 257 fidanë nga këto 28 182 fidanë pishë e zezë dhe 12 075 panjë mali.
Puna për mbjelljen e këtij objekti do të vazhdojë gjatë muajve janar-mars 2024 duke vazhduar në vijimësi me punimet e kujdesimit.