Nis cikli i parë i Ri-Inventarizimit Kombëtar të Pyjeve dhe Kullotave.
Në përmbushje të detyrimeve ligjore dhe në kuadër të “Vitit Shqiptar të Pyjeve”, Agjencia Kombëtare e Pyjeve ka nisur gjatë muajit Gusht ciklin e parë të Ri-Inventarizimit Kombëtar të Pyjeve dhe Kullotave në grup sipërfaqet provë (clusterat) që shtrihen në territorin e qarkut Fier.
Mbështetur në ligjin nr.57/2020 “Për pyjet”, neni 6 pika 2, dhe VKM nr.570, dt.17.07.2019 “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e AKP-së”, Inventarizimi kombëtar i pyjeve realizon grumbullimin dhe vlerësimin e të dhënave për shtrirjen dhe gjendjen e fondit pyjor kombëtar.
Ai synon vlerësimin e ndryshimeve hapsinore dhe kohore të fondit pyjor kombëtar, sigurimin e të dhënave me karakter sasior e cilësor, nëpërmjet një procesi të vazhdueshëm e ciklik, duke mundësuar përditësimin periodik të të dhënave
Cikli i plotë i ri-inventarizimit kombëtar të pyjeve është 8-vjeçar, duke inventarizuar çdo dy vjet, 25% të fondit pyjor.
Agjencia ka përgjegjësinë për hartimin e metodologjisë, organizimin dhe drejtimin e punës, për inventarizimin e pyjeve në nivel kombëtar”.
Në total grup sipërfaqet provë të përherëshme të IKPK-së janë 1100 (clustera).
Gjatë vitit në vijim do të kryehet Ri-iventarizimi i grup sipërfaqeve provë (clusterave) që shtrihen në territoret e qarkut Fier.
Gjatë këtij procesit grumbullohen të dhënat në lidhje me:
a) Kategoritë e përdorimit të tokës në clusterat e këtij qarku.
c) Sipërfaqen e pyjeve dhe kullotave në clusterat e qarkut Fier.
b) Tipet e pyllit, përbërja llojore dhe struktura e pyjeve dhe kullotave.
d) Matjet dendrometrike të drurëve të gjallë dhe të tharë që takohen në këto clustera.
e) Tipet e kullotave, përbërja llojore dhe struktura e tyre.
e) Biodiversiteti i pyjeve dhe kullotave.
f) Shëndeti dhe gjallëria e pyjeve.
g) Bimët mjekësore dhe eterovajore që takohen në këto clustera.
Pas regjistrimit të të dhënave të terrenit për grup sipërfaqet provë që shtrihen në territoret e qarkut Fier, do të bëhet përpunimi i të dhënave të grumbulluara dhe do të nxjerrë rezultatet.
Më pas do të bëhet krahasimi me rezultatet e IKPK-së së vitit 2021 për grup sipërfaqet e territoreve të qarkut Fier dhe do të bëhet evidentimi i ndryshimeve të ndodhura në këto grup sipërfaqesh provë (clustera), gjatë kësaj periudhe kohore.
Foto të bëra gjatë punës për grumbullimin e të dhënave dhe kryerjes së matjeve në terren.