Në kuadër të “Nxitjes së menaxhimit të pyjeve me pjesëmarrje dhe rritjes së përpjekjeve për rimëkëmbjen e pyjeve ” u zhvillua një vizitë në modelin e agropylltarisë krijuar në fshatin Shimcan me drejtues dhe përfaqësues të Bashkisë Dibër.
Takimi u organizua nga Agjencia Kombëtare e Pyjeve së bashku me Federatën Kombëtare të Pyjeve dhe Kullotave Komunale, në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit me pjesëmarrjen e Zëvëndesministres së Turizmit dhe Mjedisit znj. Almira Xhembulla, Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Pyjeve z. Artur Kala, Kryetari i Bashkisë Dibër z. Rrahim Spahiu, përfaqësues të Bashkisë Dibër, Shoqatës përdoruesve Tomin, Federatave Rajonale të Pyjeve Kukës dhe FKPKK.
Gjatë këtij takimi u demonstruan përvojat e komunitetit në mbrojtjen e pyjeve si dhe modelet e agro-pylltarisë në mbështetje të zhvillimit të qëndrueshëm të pyjeve që kanë në përdorim dhe zhvillimit të ekonomive të tyre familjare duke ndërmarrë një sërë hapash si:
- Ndalimin e mbarështimit të dhisë duke qenë se pyjet pas vitit 1995 ishin tejet të degraduar.
- Zbatimin me korrektësi të detyrave të Planit të Mbarështimit ku u realizuan Pyllëzime me akacie, lajthi dhe arrë në kurorën e qytetit por dhe të fshatit Shimcan.
- Ndalimi i prerjeve të pakontrolluara.
- U krijua fidanishte për prodhimin e fidaneve pyjorë frutorë, fidanishte arre dhe gështenje , ku pothuajse çdo vit nxjerr nga 500 deri në 1000 fidanë nga secili lloj për tregun lokal.
- Nxitja e pjesëmarrjes së njerëzve më të varfër, veçanërisht e grave, për kultivimin e drurëve pyjore e frutore bimëve mjekësore-aromatike që kanë ndikim në rritjen e të ardhurave dhe përmirësimin e cilësisë së jetës.
- Krijimi I masiveve me lajthi, arrë të varieteteve të ndryshme, mollë, qershi, dardhë dhe paulonia, duke siguruar të ardhura të konsiderueshme për familjet e këtyre zonave.
Të pranishmit bënë vizitë në të gjitha parcelat dhe ishin mjaft optimistë për punën e bërë dhe veçanërisht për rezultatet e vetë drejtuesit të shoqatës që ka dhënë modelin më të mire me kontributin e tij dhe mbështetjen nga shoqata të ndryshme.