IKPK

Previous
Next

Inventari Kombëtar i Pyjeve dhe Kullotave (IKPK) është një proces i vazhdueshëm i krijuar për të ofruar informacion të saktë në lidhje me madhësinë, shpërndarjen, përbërjen dhe gjendjen e pyjeve, tokave tona pyjore, kullotave si dhe për ndryshimet që ndodhin në tokat pyjore me kalimin e kohës. Është thelbësore për zhvillimin dhe monitorimin e politikave dhe udhëzimeve që mbështesin menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve.

Qëllimi i Inventarit Kombëtar të Pyjeve dhe Kullotave të Shqipërisë është të sigurojë informacionin e nevojshëm për hartimin strategjive dhe politikave për përdorimin dhe menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve dhe kullotave.
IKPK-ja, nuk ofron të dhëna për planifikimin e pylltarisë operacionale ose planifikimin afatmesëm të menaxhimit.
Inventari Kombëtar i Pyjeve dhe Kullotave (IKPK), jep të dhëna vetëm në rang kombëtar dhe jo në nivel parcele apo ekonomie pyjore.

IKPK i parë është kryer në vitin 1953, dhe është përsëritur në vitet 1968 dhe 1985, inventarë këto të bërë në nivel parcele me breza.
Inventarët vijues Kombëtar të Pyjeve dhe Kullotave në vendin tonë, të kryer në vitet 2004 dhe 2021, bazohen në metoda statistikore që ofrojnë të dhëna në nivel kombëtar dhe jo në nivel parcele apo ngastre.

Inventari Kombëtar i Pyjeve dhe kullotave gjeneron të dhëna për pyjet, të tilla si:
• Kategoritë e Mbulesës së Tokës në Shqipëri
• Sipërfaqen e kullotave në në Shqipëri
• Fondin Pyjor sipas formës së Menaxhimit
• Strukturën e Pyjeve sipas Tipeve të Pyjeve
• Natyralitetin e Pyjeve në Shqipëri
• Pyjet sipas Funksionit të tyre
• Sipërfaqja e pyjeve sipas Klasave të Moshës dhe Fazave të Zhvillimit të tyre
• Përbërjen e pyjeve dhe llojet pyjore
• Vëllimin e drurëve të gjallë dhe vëllimin e drurëve të tharë (që gjenden në pyll në këmbë ose të rrëzuar);
• Pyjet si sekuestrues të karbonit;
• Pyjet sipas gjendjes shëndetësore
• Sipërfaqja e pyjeve sipas Pronësisë

• Sipërfaqen e kullotave në në Shqipëri (në vendin tonë)
• Ndarjen e Kullotave sipas Sesonalitetit të Kullotjes (verore ose dimërore)
• Ndarjen e Kullotave sipas Përbërjes së Mbulesës Bimore
• Ndarjen e Kullotave sipas Mënyrës së Shfrytëzimit
• Sipërfaqen e Kullotave sipas Pronësisë
• Përbërja llojore dhe struktura e kullotave

Manuali i punimeve të terrenit të Inventarit Kombëtar të Pyjeve, është një dokument që përmban informacione dhe udhëzime rreth metodave dhe procedurave që ndiqen gjatë kryerjes së punimeve në terren.
Manuali i punimeve të terrenit përfshin detaje mbi metodat e përdorura për të bërë matje dhe vlerësime në terren, të dhënat e detyrueshme për regjistrim, teknologjitë e përdorura si dhe mjetet që përdoren për këtë qëllim.
Manuali i punimeve të terrenit është i rëndësishëm për të siguruar kryerjen e punëve në terren në një mënyrë efektive dhe të sigurt.
Ky manual ofron udhëzime dhe standarde të qarta që ndihmojnë personelin e terrenit të marrin të dhënat dhe të kryejnë matje me saktësi dhe në përputhje me standardet dhe protokollet e duhura.
Manuali i punimeve të terrenit përmban përkufizime dhe procedura të përdorura për zbatimin e IKPK-së. Gjithashtu manuali përfshin vlerësimin e vegjetacionit pyjor e kullosor duke ndjekur rrugën e zhvilluar nga program i Forest Resources Assessment (FRA) të FAO-s. Ai bazohet në eksperiencat e një numri Inventarësh Kombëtare Pyjesh, unifikuar nën rrjetin Europian të IKP-ve.

Open Foris (https://openforis.org/), është një program open source, i ndërtuar/rekomanduar nga FAO, i cili përdoret për regjistrimin e të dhënave të grumbulluara dhe matjeve të kryera në terren. Treguesit e matur sipas Manualit për Kryerjen e Punimeve të Terrenit në grup sipërfaqet provë (clusterat), regjistrohen në tablet në programin open foris. Më pas të dhënat e grumbulluara, matjet e kryera dhe të regjistruara në tablet, për grup sipërfaqet provë të IKPK-së, dërgohen në serverin qendror, nga ku bëhet shkarkimi për përpunimin e tyre.

Inventari Kombëtar i Pyjeve dhe Kullotave (IKPK), ka në total 1100 grup sipërfaqe provë (clustera), të shpërndara në të gjithë vendin. Në këto grup sipërfaqesh provë grumbullohen të dhëna për;
– Informacioni për drurët e matur
– Informacion për shkurret
– Informacioni i ripërtëritjes
– Informacion për prodhimet pyjore jo-drusore
– Informacion mbi kullotat

Përveç sa përmendet më lart atë që e bën detyruese kryerjen e IKPK-së është Ligji për Pyjeve (57/2020), Nenin 6 te këtij ligji citohet;
“Inventarizimi kombëtar i pyjeve realizon grumbullimin dhe vlerësimin e të dhënave për shtrirjen dhe gjendjen e fondit pyjor kombëtar. Ai synon vlerësimin e ndryshimeve hapësinore dhe kohore të fondit pyjor kombëtar, sigurimin e të dhënave me karakter sasior e cilësor, nëpërmjet një procesi të vazhdueshëm e ciklik, duke mundësuar përditësimin periodik të të dhënave”.

Cikli i plotë i ri-inventarizimit kombëtar të pyjeve është 8-vjeçar, duke inventarizuar 25% çdo 2 vjet të fondit pyjor.

Agjencia ka përgjegjësinë për hartimin e metodologjisë, organizimin dhe drejtimin e punës për inventarizimin e pyjeve në nivel kombëtar”.