Takimi i tretë i palëve të interesuara në Shqipëri në kuadër të projektit RESILIENT TREES
Tiranë, 21 tetor 2026
Agjencia Kombëtare e Pyjeve (AKP), në bashkëpunim me PSEDA-ILIRIA, organizoi Takimin e Tretë të Palëve të Interesuara në Shqipëri, në kuadër të projektit RESILIENT TREES, të bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian përmes Programit Interreg Europe 2021–2027.
Aktiviteti mblodhi përfaqësues të Agjencisë Kombëtare të Pyjeve, Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, Fakultetit të Shkencave Pyjore, bashkive, organizatave të shoqërisë civile dhe ekspertë të fushës së pyjeve dhe biodiversitetit.
Takimi u fokusua në prezantimin e rezultateve të vizitës studimore dhe workshop-it tematik të zhvilluar në Kaunas, Lituani, gjatë datave 23–25 shtator 2026, ku u shkëmbyen përvoja mbi identifikimin, mbrojtjen dhe menaxhimin afatgjatë të pyjeve të vjetra (OGF) dhe drurëve monumentale e veteranë (MVT).
Një pjesë e rëndësishme e takimit iu kushtua prezantimit të metodologjisë për identifikimin, hartëzimin dhe verifikimin në terren të pyjeve të vjetra në Shqipëri, të zhvilluar në përputhje me udhëzimet e Komisionit Evropian. Gjatë diskutimeve u evidentua se deri më tani janë identifikuar sipërfaqe potenciale me pyje të vjetra, për të cilat nevojitet vijimi i procesit të vlerësimit dhe verifikimit.
Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve qendrore, bashkive, universiteteve dhe organizatave të shoqërisë civile.
Takimi përfundoi me identifikimin e prioriteteve për vijimin e hartëzimit dhe monitorimit, shkëmbimin e metodologjive me institucionet përgjegjëse dhe forcimin e masave ligjore e teknike për mbrojtjen afatgjatë të këtyre ekosistemeve.
Projekti RESILIENT TREES synon të kontribuojë në përmirësimin e politikave të ruajtjes së biodiversitetit, përmes shkëmbimit të përvojave dhe transferimit të praktikave të mira ndërmjet rajoneve evropiane.
