Në kuadër të aktiviteteve të Vitit Shqiptar të Pyjeve, Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Pyjeve z. Artur Kala si dhe specialistë e stafit të agjencisë, Drejtorisë së Bujqësisë, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Sektori i Pyjeve dhe Kullotave Bashkia Dibër dhe përfaqësues të projektit “Trees for Lurë” z. Pavel Kunc, znj. Mirjana Pali, u takuan në Lurë ku prej 7 ditësh po kryhen mbjellje fidanësh pyjor për ripyllëzime e sipërfaqeve të djegura ndër vite.
Vetëm në një ditë u mbollën 1700 fidanë pyjorë të llojit pisha e zezë (Pinus nigra J.F. Arnold) ku përveç institucioneve kontribuuan për mbjelljen edhe 35 banorë të zonës ku rreth 35% ishin gra/vajza.
Një tjetër aktivitet ishte vizita në fidanishten ngritur në Fushë-Lurë ku specialistët panë nga afër kushtet dhe standardet e fidanëve që përdoren në pyllëzimet për rigjenerimin e vegjetacionit pyjor të zonës. Farat që përdoren në këtë fidanishte grumbullohen në grumbujt e zonës së Lurës
Specialistët e fushës diskutuan dhe shkëmbyen përvojat e tyre duke theksuar kujdesi që duhet treguar gjatë proceseve të ndryshme që kryhen në fidanishte duke nisur që nga përzgjedhja e drurëve elitarë për grumbullimin e farës, manipulimi i boçeve, përgatitja e tericatit, trajtimi i farave para mbjelljes dhe shërbime të tjera që kryhen në fidanishte.