Në Agjencisë Kombëtare të Pyjeve, Drejtori i Përgjithshëm, z.Artur Kala, priti përfaqësuesit e Fondacionit ALCDF, Znj.Lindita Manga, Drejtore e këtij Fondacioni dhe Z. Besnik Alku, Menaxher Projekti.
Në takim u diskutua rreth Projektit “Mbrojtja dhe shfrytëzimi i qëndrueshëm i zonave të mbrojtura ndërkufitare në malin e Sharrit, Mavrovës dhe Korab-Koritnikun”, projekt që financohet nga programi Gjerman, Prespa Ohrid Nature Trust -PONT, dhe zbatohet në zonën ndërkufitare të masivit malorë Sharr-Korab, nga Fondacioni ALCDF në bashkëpunim me organizata lokale, Qendra për Zhvillim të Qëndrueshëm të Komunitetit (CSCD) në Maqedoninë e Veriut, dhe GLV “Dibra Turistike” në Shqipëri.
Drejtori AKP, Z. Artur Kala, prezantoi punën e bërë nga Agjencia në qeverisjen e mirë të sektorit të pyjeve në Shqipëri, mundësive dhe sfidave që ndeshet ky sektor, si dhe synimeve që ka AKP për vitin 2024, i cili është shpallur “ Viti Shqiptar i Pyjeve”, ku do të ketë larmi aktivitetesh dhe nismash nga të gjithë aktorët qeveritarë, dhe jo-qeveritarë që punojnë në këtë sektor.
Objektivi i përgjithshëm i projektit është kontributi lidhur me qeverisjen efektive dhe të paanshme të rajonit ndërkufitar të zonës së mbrojtur Sharr-Korab me qëllim fuqizimin e benefiteve ekologjike, ekonomike dhe sociale që ato ofrojnë.
Çështjet kyçe ku AKP do të kontribuojë direkt në projekt, janë të lidhura me aktivitetet për përmirësimin menaxhimit, koordinimit dhe bashkëpunimit ndërkufitarë, për të siguruar një qeverisje legjitime dhe të përgjegjshme mjedisore. Kështu AKP do të jetë anëtare aktive Grupit të Partnerëve Strategjik Ndërkufitar, ku do të fuqizohet koordinimi dhe bashkëpunimi mes të gjithë aktorëve.
Gjithashtu, AKP do të angazhohet në aktivitete që rrisin pjesëmarrjen e komuniteteve lokale dhe palëve të interesuara duke siguruar mbrojtjen dhe rehabilitimin e burimeve natyrore ndërkufitare, të fokusuara në mbrojtjen dhe kontrollin e zjarri në pyje, në krijimin e modeleve të qëndrueshme te kullotave, në menaxhimin e pyjeve sidomos për përdorimin e tyre për dru zjarri nga banoret, si dhe në aktivitete që sigurojnë përfshirjen aktive të aktorëve lokalë në strukturat e monitorimin.